Klop, Mona dhe Andreasi, treshja gjermane e suksesit të Liverpulit

Legjenda liverpulase e portës, Rej Klemens, u shpreh së fundi se “Jurgen Klopi është gjëja që i ngjan më shumë Bill Shenklit, nga të gjithë ata që kemi dhe nga ata që kemi pasur”. Klemensi, tri herë fitues i Championsit, ka të drejtë pasi gjermani “bombastil” është vërtet një nga arsyet më të mëdha dhe më kryesore për rritjen e skuadrës së kuqe, veçse nuk është i vetëm.

Kur Klopi erdhi në Angli në 2016, ai mori me vete dy njerëz që i cilësoi të rëndësishëm. Të dy, gjermanë, dhe të dy nga Bajerni i Mynihut. Njëra është femër, Mona Nemer, dhe është shefja e sektorit të të ushqyerit, një nga më të rëndësishmit në çdo klub sportiv.

I dyti është Andreas Kornmajer, i njohur që më parë nga futbollistët, pasi ishte i shquar si trajner fitnesi. Të dy këta, i kanë dhënë Klopit një ndihmë të paçmuar, duke bërë që lojtarët e tij të ushqehen më mirë dhe të jenë më shumë në formë. Nuk është për t’u habitur që Mona e përqafoi Klopin kur skuadra u nis për në Romë (në foto). Nga stafi i trajnerit mungon vetëm njëri, i larguar pikërisht tani, Zheljko Buvac. Serbi i Bosnjë-Hercegovinës do të jetë një humbje e madhe pasi Klopi e pati krah të djathtë që nga viti 2001, tek Mainci, pastaj tek Dortmundi dhe tani tek Liverpuli.

Sfidanti.al