Milani duket i vogël, por të ardhmen e ka të madhe

Silvio Berluskoni e tha si Planin e tij B, por po e realizojnë kinezët (pa mohuar kontributin e mëparshëm të pronarit të klubit). Milani i sotëm i Gatuzos vërtet nuk po shkëlqen në Serinë A, por gjërat duken shumë më mirë nëse bën një rregullim “të vogël”, merr parasysh moshën e skuadrës kuqezi.

Në fitoren ndaj Bolonjës, në fushën e kësaj të fundit, Milani pati një ekip me mesatare moshe 24 vjeç e 137 ditë, vetëm pak më të madhe sesa ajo që kishte në ndeshjen e parë të sezonit, në 20 gusht, ndaj Krotones, 23 vjeç e 159 ditë.

Me Donarumën, Kalabrian, Kutronen, Kesin, Romanjolin apo Lokatelin, sa për të përmendur disa emra, e ardhmja e formacionit milanez nuk duket asgjë tjetër përveçse e shkëlqyer. Natyrisht, në futboll nuk mjafton vetëm të rritesh me moshë dhe të dalësh në krye. Milani do të duhet të përmirësojë shumë gjëra që të matet me Juventusin apo Napolin, përveçse me Lacion, Romën dhe Interin, por gjithsesi, e sigurt është që do të ketë rritje.

Nëse në Itali, Milani merret si shembull, në Gjermani Bajerni dhe Lajpcigu janë edhe më mirë, në Angli “kurorën” e ka Arsenali, ndërsa në Francë është Lila.

Sfidanti.al