Vllazninë e godasin gjithë të zezat, koronavirusi dhe politika e lënë pa lekë e pa stërvitje!

Kryengritja zgjati tri ditë dhe siç ndodh gjithnjë, diçka e arriti. Futbollistët e Vllaznisë u kthyen në stërvitje, pas një takimi me kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, dhe duan të mendojnë pozitivisht se rrogat do të jepen. Në emër të tyre foli kapiteni Gilman Lika. “Na janë premtuar 4 rroga, – theksoi ai, duke hedhur poshtë pretendimet e klubit se bëhej fjalë vetëm për 1.5 rroga, – për fat të keq jemi shumë prapa me përgatitjet, por do bëjmë çmos t’ia dalim. Nuk di sesi do t’ia bëjmë me kontratat që na përfundojnë në 31 maj”.

Problem më vete tek Vllaznia është mungesa në stërvitje e trajnerit dhe e lojtarëve të huaj. Ata kanë mbetur jashtë vendit që pas mbylljes së kufijve, dhe nuk arrihet të kuptohet sesi mund të konkurrojë suksesshëm një skuadër që deri 3 ditë para nisjes së Superligës do të stërvitet pa trajner, dhe pa disa lojtarë të rëndësishëm. Për më tepër, shkodranët nuk janë stërvitur gjatë karantinës, ndryshe nga shumë skuadra të tjera.

Halli tjetër i madh i kuqebluve ka të bëjë me gjendjen e tyre juridike, si pronë dhe administrim nga Bashkia, si dhe për shkak të konfliktit politik në pushtetin lokal. Në zgjedhjet “fantazmë” në 2019, doli një kombinim i tmerrshëm, kryetares Voltana Ademi (PD) i mbeti në dorë bashkia, ndërsa Këshilli Bashkiak është 100 për qind me mazhorancën. Vonesat e rrogave lidhen pikërisht me këtë, dhe mund të ndodhin edhe në të ardhmen.

Sfidanti.al