Premier Liga një hap më pranë rifillimit, por pengesat mbeten të mëdha!

Fillimi ka qenë disi i druajtur, por po e marrin veten pak nga pak. Futbollistët e klubeve të Premier Ligës janë gjithnjë e më optimistë për mundësinë e rifillimit të kampionatit, sidomos pas vendimit më të fundit të qeverisë. Kryeministri Boris Xhonson, gjeti kohën në mesin e një konflikti të ashpër politik për mënyrën sesi u drejtua vendi gjatë koronavirusit, dhe lajmëroi se skuadrat mund të fillojnë fazën e dytë të përgatitjeve.

Ekipet mund të nisin stërvitjet kolektive, ndërsa deri tani ishin kufizuar me ushtrime individuale. Drejtuesit e Premier Ligës kanë përgatitur dosjen e tyre, që e kanë quajtur “Projekti i Rifillimit”, ndërsa presin miratimin e autoriteteve shtetërore dhe shëndetësore për të vepruar. Suksesi i Bundesligës, që luajti këtë fundjavë ndeshjet e dyta, ka dhënë edhe më shumë besim e shpresë.

Gjithsesi, klubet angleze për momentin janë të paqartë për të ardhmen. Ende nuk është përcaktuar një datë zyrtare për rifillimin e kampionatit, ndërsa ka shumë lojtarë e trajnerë që ende shqetësohen për koronavirusin. Do të duhet të vazhdohen testimet, nga dy në javë, ndërsa deri tani kanë dalë vetëm 8 lojtarë pozitivë.

Synimi është që Premier Liga të rifillojë sa më shpejt në qershor, në mënyrë që të respektohen afatet për të mbyllur sezonin në kohë, dhe në gusht të zhvillohen kupat e Europës. Liverpuli kryeson me 82 pikë në 29 ndeshje të luajtura, ndërsa Mançester Siti është i dyti me 57 pikë e një ndeshje më pak.

Sfidanti.al