Mesi refuzoi Murinjon, por “martesa e munguar” nuk u prishi punë për trofetë!

Ishte një periudhë e turbullt. Barcelona e epokës së shkurtër të Frenk Rajkardit po njihte zhgënjim pas zhgënjimi, dhe ai që do të bëhej ylli i saj kryesor më vonë, ndoshta mund ta mendonte largimin. Lionel Mesi, edhe pse i cilësuar i jashtëzakonshëm, ishte ende nën hijen e Ronaldinjos, dhe Zhoze Murinjo mendoi se mund ta joshte për të ndërruar fanelën.

Portugezi sapo ishte bërë trajner i Interit në verën e vitit 2008, dhe guxoi të provonte diçka që dukej si e pamundur, edhe pse argjentinasi në atë kohë nuk vlerësohej ende si gjysmëperëndi. Murinjo ia bëri ofertën që të braktiste katalanasit për Milanon, veçse Mesi e hodhi poshtë.

Cila ishte arsyeja e këtij refuzimi të madh? Drejtori sportiv zikaltër i asaj kohe, Branka, tregon se Leo u shpreh se ia dinte shumë për nder Barcelonës, se ishte mirënjohës për gjithçka që klubi kishte bërë për të, duke e ndihmuar të kalonte problemet shëndetësore, për t’u bërë një yll i madh futbolli. Mesi humbi shansin për të qenë pjesë e një Interi që bëri histori duke fituar tre trofe në 2010, Championsin, Serinë A dhe Kupën e Italisë.

Murinjo, pasi nuk pati sukses me argjentinasin, ia doli të shkëmbente Ibrahimoviçin për Samuel Etonë, dhe ky transferim doli një sukses i madh. Gjithsesi, Mesi nuk është se doli i humbur nga kjo histori, përkundrazi. Me Barcelonën e Guardiolës, e pastaj edhe atë të Luis Enrikes e trajnerëve të tjerë, ai fitoi 34 trofe të mëdhenj, përfshi 4 Champions dhe 10 kampionate në Spanjë.

Sfidanti.al