Topi do të nisë të rrotullohet edhe për ta. Kampionatet e moshave në futboll pritet të nisin në 14 qershor, pra 11 ditë pas rifillimit të Superligës, pas një ndërprerjeje 4-mujore. Ky është vendimi i marrë nga Federata Shqiptare e Futbollit, në një takim me krerët e akademive të klubeve të ndryshme. Në mbledhjen, ku ishin të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Abdyl Kuriu, u diskutuan disa variante, dhe u ra dakord që data 14 qershor është më e përshtatshmja. Ndeshjet u ndëprenë duke nisur nga data 15 mars.
Më herët, burime në Federatë pohuan se ekzistonte mendimi për t’i ndërprerë për fare kampionatet e moshave, sidomos gjatë muajve mars-prill, kur situata me koronavirusin ishte më e rëndë se tani. Deri tani, në kategoritë e moshave U19, U17 e U15 janë luajtur nga 16 javë, dhe më mirë janë paraqitur ekipet e Akademisë së Tiranës.
Burime në Federatë, ndërkaq, pohuan se nuk ka asnjë diskutim për të shtyrë Superligën me një javë, pra për ta rifilluar në 10 qershor. Data e përcaktuar nga klubet është 3 qershori, ndërsa shpresohet për një përgjigje nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, që këtë të martë, me të rifilluar puna pas festës së Bajramit.
Sfidanti.al