Vllaznia (thuajse) me “orar zyrtar”, Dinamo “njeh” më në fund Superligën

Dikur, në mesin e viteve 80-të, u luajt një derbi i famshëm mes Tiranës (atëherë 17 Nëntori) dhe Partizanit, fituar nga bardheblutë 7-3, dhe që atëherë nisi batura “orari zyrtar”, meqë orari zyrtar ato kohë ish nga ora 07:00 e mëngjesit, deri në 15:00 të drekës. Vllaznia e Shkodrës iu afrua këtij orari zyrtar, por nuk e plotësoi vetëm për një “orë”, që do të thotë vetëm për një gol. Fitoi 6-3 në “Loro Boriçi” ndaj Dinamos, duke e bërë “nëndetësen blu” të njihte më në fund se çfarë është Superliga.

Nëntë gola dhe ngjitje e shkodranëve në vendin e 2-të në renditje me 9 pikë, vetëm 2 më pak se Tirana, ndërsa dinamovitët mbetën në mesin e tabelës. Ibraimi kaloi kryeqytetasit të parët në epërsi, por Dianje dhe Gjurgjeviç përmbysën shifrat që në 45’ e fillimit. Pastaj Aralica bëri 3-1, Ibraimi me penallti ngushtoi sërish në 3-2, por Aralica nuk u ndal duke shënuar edhe një gol tjetër. Pasi Skuka ngushtoi edhe një herë në 3-4, Jonuzi i dha siguri vendasve të trajnerit Brdariç dhe Mustedanagiç vulosi shifrat në 6-3 në minutën e 6-të shtesë. “Dua që ekipi të shënojë mesatarisht 3 gola për ndeshje, – thotë Brdariç, – e kishim harruar që kishim fituar 5-3 me Laçin, ndërsa në ndeshjet e tjera jemi nxituar. Kemi vuajtur me finalizimin, por këtë herë ishim mirë”.

Sfidanti.al