Vllaznia mund Tiranën mes polemikave, rihap kampionatin!

Nuk i shpëtoi dot polemikave, veçse në futboll këto nuk mungojnë. Derbi i Shqipërisë mes Tiranës e Vllaznisë, luajtur në Shkodër, u fitua nga ata që ishin praktikisht vendas, pas një penalltie që solli polemika. Arbitri Enea Jorgji mori vendimin, pas konsultimit me VAR-in, por pa shkuar të shikonte pamjet filmike, ndërsa Bekim Balaj ishte në dyluftim me Behiraçen në zonën e Tiranës. Nga 11 metra larg realizoi Herald Marku që në minutat e para të pjesës së dytë. Ky rezultat nuk ndryshoi deri në fund, pavarësisht presionit të kampionëve, dhe me këtë rezultat, Vllaznia bëri një hap të madh drejt kreut.

Tashmë, ekipi i trajnerit Mirel Josa ka 34 pikë, vetëm tri më pak sesa Tirana që kryeson. Për më tepër, në tre përballjet e këtij sezoni, kuqeblutë kanë bilanc pozitiv ndaj kryeqytetasve, me 2 fitore e një barazim, dhe kjo mund të luajë rol të rëndësishëm në garën për titullin. Vllaznia e nisi më mirë ndeshjen duke krijuar edhe ndonjë mundësi, ndërsa më pas kampionët vendosën ekuilibrin në pjesën e parë duke qenë të rrezikshëm. Gjithsesi, golin e vetëm e shënuan shkodranët që rihapën kampionatin duke i dhënë shpresë vetes, por edhe Partizanit.

Sfidanti.al