E kanë larguar, por nuk dihet sesa ka qenë me mirëkuptim. Mirel Josa nuk është më trajner i Vllaznisë, dhe kjo është përfundimtare, veçse pritet të shihet sesi do të jetë ndarja mes palëve. Klubi njoftoi në faqen zyrtare në rrjetet sociale se ndarja është bërë me mirëkuptim, veçse burime pranë trajnerit pohojnë se ai nuk ka pranuar të japë dorëheqjen. Kjo do të thotë se ose do të ketë një marrëveshje financiare mbi bazën e kontratës, ose do të shkohet në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në Federatë. Tekniku kryeqytetas u largua nga detyra pas humbjes së kësaj të diele në Superligë në fushën e Laçit, disfatë që e la skuadrën shkodrane 7 pikë prapa vendit të parë.
Drejtuesit nuk kanë qenë të kënaqur nga loja dhe nga rezultatet e javëve të fundit. Josën nuk e shpëtoi as fakti që në mesjavë Vllaznia u kualifikua për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë duke eliminuar Partizanin. Edhe pas asaj ndeshjeje, presidenti Xhaferi shprehu rezerva për nivelin e lojës. Për momentin, ekipin do ta drejtojnë Vioresin Sinani dhe Auron Miloti, ndërsa pritet se çfarë vendimi do të marrë klubi për trajnerin e ardhshëm. Vllaznia është në vendin e 4-ët në Superligë me 37 pikë, 7 më pak sesa Partizani e Tirana.
Sfidanti.al