Elseid Hysaj e fiton derbin e tij ndaj Romës, njëri nga më të mirët!

Në qytet e cilësojnë si ndeshjen më të madhe në botë. i tillë për kryeqendrën e Italisë derbi Lacio-Roma, që këtë herë u fitua nga skuadra që ka në përbërje të saj Elseid Hysajn. Mjaftoi një gol i shënuar nga Xakanji pas pushimit për të vulosur shifrat minimale 1-0, ndërsa mbrojtësi kuqezi ishte njëri nga më të mirët në fushë. Ai ishte titullar, si përherë këtë sezon, luajti deri në fund në krahun e majtë të mbrojtjes dhe pati kontributin e tij për fitoren.  Vlerësimet për shqiptarin ishin të rëndësishme.

“Eurosporti” i dha notë 6, duke i bërë kompliment se mbuloi mirë mbrojtjen dhe ndihmoi sulmin, sidomos pas përjashtimit të Ibanjezit. “Goal.com” shkruan se Hysaj e shpërbleu besimin e trajnerit Sarri, duke dhënë një tjetër paraqitje të shkëlqyer në të majtë. Nota është 6.5. E njëjta notë edhe nga “kalçomerkato.it”, pra 6.5, që thekson se shqiptari ishte në dyshim për shkak dëmtimi, por nuk bëri asnjë gabim.

Trajneri Mauricio Sarri u shpreh pas ndeshjes se Hysaj është njëri nga lojtarët më të mirë në qarkullim në rolin e tij, një vlerësim i lartë, por krejtësisht i merituar këtë edicion. Fitorja e bardhekaltërve u bë më e lehtë pasi Roma mbeti me 10 lojtarë që në pjesën e parë, sepse Ibanjez doli me karton të kuq. Me këtë sukses, Lacio është në vendin e dytë në Serinë A me 52 pikë, duke qenë në pozicion shumë të favorshëm për t’u kualifikuar për në Champions sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al