Në dy ndeshje nuk ka qenë ekipi më i mirë në fushë, por ka dituar të dalë e pathyer. Teuta e Durrësit po tregon se një ekip kampion ka nevojë sidomos për karakter, atëherë kur mekanizmat e lojës nuk janë ata që duhen. Pas fitores “me shpirt ndër dhëmbë” ndaj Partizanit në “Elbasan Arena”, skuadra e trajnerit Edi Martini mori një pikë me shumë vlera në një stadium tepër të vështirë si ai “Loro Boriçi”. Përtej epërsisë së dukshme të Vllaznisë në lojë, që mbajti topin, këmbënguli drejt sulmit, krijoi më shumë raste dhe thuajse bëri çdo gjuajtje në portë, Teuta pati forcën e qëndrestarit, si dhe atë që përballoi presionin edhe me 10 lojtarë, edhe kur ishte në dizavantazh, për të barazuar bukur. VAR-i vërtet i hoqi një penallti dhe një gol, por duket se vendimet e teknologjisë ishin të drejta, edhe pse për milimetra. Duke shtuar fitoren 3-0 në Superkupë po ndaj Vllaznisë, Teuta po tregohet mjeshtre që të marrë maksimumin kur nuk bën shumë për të sulmuar. Nuk dihet nëse do të arrijë ta mbrojë titullin, pasi kampionati është i gjatë dhe ekipet do të ndryshojnë, por kemi të bëjmë me një konfirmim. Sa për Vllazninë, duhet të dijë se pikët nuk arrihen gjithnjë vetëm me lojë të mirë, por duhet ditur të mbyllet ndeshja, ndryshe ke të papritura.
Sfidanti.al