Për fat të keq, debutimet mund të jenë të hidhur. I tillë është ky i Ardian Memës në stolin e Tiranës, edhe pse humbja mund të quhet me plot gojën, e pamerituar. Disfata në Vlorë ndaj Flamurtarit ishte minimale, 0-1, në ndeshjen e javës së 9-të të Superligës.
Skuadra kryeqytetase u ndëshkua nga një gabim i mbrojtjes në minutën e 72-të, të cilin e shfrytëzoi më së miri sulmuesi brazilian i vendasve, Danilo Alvesh.
Ndikimi i ardhjes së Memës në stol u duk në pjesën e parë, kur tiranasit ishin më lart, sulmuan më shumë dhe krijuan më shumë raste. Natyrisht, nuk duhet harruar se edhe me ish-trajnerin Ze Maria, Tirana pati paraqitje të tilla, si në pjesën e parë në Korçë ndaj Skënderbeut.
Për fat të keq, miqtë nuk arritën të shënonin, dhe kjo nuk i dha mundësi as të fitonin, madje as të merrnin barazimin. Pas pushimit, skuadrat sikur u kujdesën për të mos u ndëshkuar, dhe ndeshja mund të përfundonte pa gola, nëse nuk do të kishte qenë gabimi i mbrojtjes bardheblu.
Kjo disfatë e rëndon shumë gjendjen e Tiranës, që mbetet në vendin e 7-të me vetëm 8 pikë, dhe me golaverazh negativ. Sukses me rëndësi për Flamurtarin e trajnerit Daja, që e fitoi duelin me ish-ndihmësin e tij, Memën.Vlonjatët kanë tani 14 pikë dhe janë fare pranë vendit të tretë.
Sfidanti.al