Skënderbeu tregoi karakterin e fortë të një skuadre të gatuar për kampione, duke tejkaluar skandalet e kohëve të fundit, e duke mbajtur ritmin e fitoreve. Ajo ndaj Laçit në Korçë nuk ishte thjesht një sukses për 3 pikë, por edhe një paraqitje e madhe, pak ditë pas tronditjes së dytë, asaj të daljes pozitiv me doping të Jashanicës.
Përkundër mungesave, dhe pavarësisht se kishin përballë një ekip shumë të mirë, të besuarit e trajnerit Daja zhvilluan një lojë pa asnjë të metë, duke ia dalë me shifrat 4-0. Aliti shënoi golin e parë, rrjeta e tij e parë për kryesuesit e Superligës, pastaj Ali Soue e dërgoi dy herë topin në rrjetë, ndërsa rezultati u mbyll nga Blerim Krasniqi.
“Konkurrenca në ekip po na bën mirë, – u shpreh Daja pas ndeshjes, – Nimaga dhe Dita u paraqitën shumë lart. Në përgjithësi, nuk bëmë gabime ndaj Laçit që është skuadër me cilësi, dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”.
Pas kësaj fitoreje, Skënderbeu shkoi në kuotën e 53 pikëve, në 23 javë Superligë, ndërsa Kukësi është momentalisht vetëm në vend të dytë, me 39 pikë. Kuksianët e trajnerit Peter Pakult fituan 2-1 në fushën e Lushnjes, ndonëse nuk është se shkëlqyen.
Sfidanti.al