Tirana nuk di të fitojë në derbi, festa është e Partizanit

Një tjetër derbi dhe sërish e njëjta histori. Partizani fiton ndaj Tiranës, vërtet minimalisht 1-0, por aq sa i duhet për të marrë tri pikët dhe për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive ndaj rivalit më të madh qytetës. Në “Selman Stërmasi”, fati i takimit u vendos në minutën e 20-të nga goli i Jasir Asanit, ndërsa të kuqtë u dukën skuadër më e pjekur, ashtu siç ishte treguar deri tani në këtë kampionat.

Tirana regjistroi duelin e 14-të radhazi pa fitore, diçka që i mungon që nga 7 shkurti i vitit 2014, gjë që i mërziti pa masë mijëra tifozë të saj që kishin mbushur stadiumin si pritës. Trajneri Ze Maria, i mësuar me derbi mes Interit dhe Milanit në Serinë A, këtë herë nuk ia doli, ashtu siç nuk ia dolën lojtarët e tij, shumica e të cilëve nuk e dinin se çfarë ishte një derbi.

Partizani, ndërkaq vazhdoi ashtu siç e kishte nisur me trajnerin Skënder Gega. Skuadër e qetë, e mbledhur dhe me harmoni të brendshme shumë të mirë. Edhe pse cilësia e lojës nuk është ajo që pritet nga një ekip që pretenton titullin, pikët janë, dhe janë 13, aq sa për ta bërë Partizanin të ngrysen në krye të renditjes, me shpresë të ndonjë gabimi të Skënderbeut.

Sfidanti.al