Nuk shënuan dot në javën e parë, nuk e bënë as në të dytën. Tirana e Teuta kanë nga 0 gola të realizuar në këtë sezon të Superligës, ndërsa ndryshimi i vetëm është se kryeqytetasit kanë një rrjetë të pësuar në ndeshjen e parë ndaj Kamzës. Gjithsesi, përballja mes tyre në “Selman Stërmasi”, që nisi xhiron e dytë të ndeshjeve të kampionatit, i ndau skuadrat edhe në një statistikë tjetër.
Durrsakët ishin më pranë fitores, duke goditur dy herë shtyllat e portës së Abibit, ndërsa vendasit nuk arritën asnjëherë deri aq pranë golit. Përsa i përket rasteve për shënim, të dyja skuadrat i patën, ku Tirana rrezikoi sidomos me Blazhevskin, por edhe me Sentamun. Miqtë iu përgjigjën me dy shtyllat, si dhe me rastet sidomos të Latifit.
Pas këtij barazimi, mund të thuhet se dy skuadrat ende nuk e kanë gjetur veten në një kampionat me 10 skuadra, por që zgjat plot 36 javë. Trajneri i Tiranës, Ze Maria, ka premtuar se ekipin e tij do ta shohin pas 3-4 javësh, ndërsa tekniku i Teutës, Bledi Shkëmbi, normalisht ka nevojë për kohë pasi durrsakët patën ndryshime të mëdha këtë verë.
Sfidanti.al