Tirana merr trofeun në “Arenën Air Albania”, Superliga ul “siparin”!

Përfundoi edhe java e 36-të e Kategorisë Superiore dhe kampionët morën trofeun e titullit. Kjo, në “Arenën Air Albania”, vërtet pa publik në tribuna, por me fishekzjarrë dhe gaz e hare ashtu siç duhet, ndërsa shumë tifozë dolën sërish në rrugë e sheshe, ashtu si disa ditë më parë, kur Tirana doli matematikisht kampione. Mbyllja u bë në paqe, në barazimin 1-1 ndaj Bylisit, që gjithashtu e kishte realizuar synimin, mbijetesën. Golat u shënuan nga Ngo në 21’, dhe Sallaku në 90’+2. Ndeshja ishte e bukur dhe me raste për shënim për të dyja skuadrat.

Kukësi e mbylli në “kreshendo”, me fitoren 5-2 në fushën e Luftëtarit, ku u luajt për sulmuesin Vasil Shkurtaj. Ky i fundit shënoi dy herë, dhe goditi tri herë shtyllën, dhe nuk e arriti dot Nuabuezen, sulmuesin e Laçit, që fitoi Këpucën e Artë të kampionatit me 24 gola. Në ndeshjet e tjera, Flamurtari mori pikë në fushën e Vllaznisë (1-1), Skënderbeu mundi 4-1 Partizanin, që kishte udhëtuar në Korçë me djemtë e rinj, dhe Laçi fitoi 3-2 me përmbysje në Durrës ndaj Teutës. Partizani luajti me mjaft rezerva në ndeshjen e fundit (Malaj, Dajçi, Ferhati apo Kodra, por edhe lojtarë të formacionit si Belica, Telushi, Mala e të huajt Kordeiro e Solomon. Në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, Teko dy herë e Nuabueze (1) ishin autorë golash për kurbinasit, Emiliano Vila e Lorenco Vila për durrsakët.

Java 36: Tirana-Bylis 1-1, Luftëtari-Kukësi 2-5, Teuta-Laçi 2-3, Skënderbeu-Partizani 4-1, Vllaznia-Flamurtari 1-1.

Renditja: Tirana 70, Kukësi 66, Laçi 64, Skënderbeu 58, Teuta 57, Partizani 53, Bylis 51, Vllaznia 46, Flamurtari 15, Luftëtari 14.

Sfidanti.al