Dashuria italiane është e pafund, në FSHF mendojnë për drejtorin teknik!

Nuk e kishim një të tillë që nga koha e De Biazit. Një tjetër italian do të jetë në hierarkinë e ekipeve kombëtare shqiptare, dhe bëhet fjalë për një drejtor teknik. Dihet se atë e ka propozuar Edi Reja, trajneri i sotëm i kombëtares, dhe besohet se ai është i domosdoshëm për të koordinuar punën mes teknikëve të ekipeve përfaqësuese të moshave, që nga U15 e deri tek U21, pa përjashtuar vetë Rejën.

Në kohën e De Biazit, drejtor i ekipeve ishte italiani Paolo Tramexani, që më pas u largua për të vazhduar karrierën si trajner. Më herët, në Federatë ka drejtuar Redi Jupi, i cili ka punuar edhe si trajner i Shpresave, pasi nga kjo detyrë u largua Skënder Gega. Kohët e fundit, drejtor ka qenë boshnjaku Xhemal Mustendanagiç, i cili u largua nga detyra këtë vit, duke gjykuar se është më i përshtatshëm si specialist për gjetjen e talenteve të rinj shqiptarë nëpër Europë.

Reja ka biseduar disa herë me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, si presidentin Duka apo sekretarin e përgjithshëm Shulku, dhe ata kanë kërkuar që 74-vjeçari të ndihmojë me përvojën e tij të madhe për të ndërtuar një strategji shumëvjeçare për ekipet përfaqësuese shqiptarë të çdo niveli.

Sfidanti.al