Kur vjen e keqja, hapi derën. Kështu thotë shprehja e njohur dhe tek Vllaznia duket se dyert janë shkulur nga vendi dhe ekipi po zhytet gjithnjë e më thellë në krizë. Një humbje e rëndë u pësua në ndeshjen e kësaj jave të Superligës, ndaj Tiranës brenda në Shkodër, duke ia rrezikuar edhe më shumë pozitat në krye të renditjes.
Edhe pse gjithçka nisi mirë me golin e shënuar me penallti nga Dilaver, të besuarit e trajnerit Tomas Brdariç nuk mundën të përballonin kampionët, duke u dorëzuar me shifrat 1-2. Për të kuptuar sesa e madhe është kriza shkodrane mjafton të kujtojmë se në 6 ndeshjet e fundit në kampionat kanë marrë vetëm 6 pikë. Tirana, në të kundërt, bëri diçka që kishte kohë që nuk e bënte, fitoi ndaj një rivali të fortë, madje jashtë fushe.
Ndaj Partizanit, Kukësit e Teutës ishte mundur radhazi, madje edhe me shkodranët kishte marrë vetëm 1 pikë në dy sfida, por në “Loro Boriçi” kryeqytetasit u dukën ndryshe. Batha barazoi shpejt dhe Kale siguroi fitoren e merituar. Nëse vetë Kale e sidomos Seferi do të kishin qenë më të saktë, suksesi do të kishte qenë më i thellë.
Është forcuar Tirana, apo është dobësuar Vllaznia? Më shumë duket kjo e dyta, dhe shkodranët rrezikojnë jo vetëm të humbasin kreun, por edhe të kalohen nga disa rivalë për të mos u kualifikuar dot as në Europë. E tillë është ngjeshja e tanishme e tabelës, me Partizanin, Laçin e Teutën që janë pranë. Po Tirana? Kampionët synojnë të paktën të sigurojnë kupat e Europës dhe potencialin e kanë, ndonëse kundërshtarët që janë më lart në tabelë, gjithashtu do të jenë tepër të vështirë për t’u kaluar.
Në dy ndeshjet e tjera në të njëjtën orë, Bylisi arriti një fitore të rëndësishme për mbijetesën 1-0 ndaj Skënderbeut në Ballsh, ndërsa Kastrioti barazoi pa gola me Apoloninë. Vllaznia kryeson me 41 pikë, Partizani e Teuta ka 37, Laçi 36, Kukësi 30 e Tirana ka 29.
Sfidanti.al