Që kampionati shqiptar “si ngryset, nuk gdhihet”, kjo është e qartë, por që një ekip që ka investuar fuqishëm dhe pretendon titullin të lerë pikët radhazi me ekipet e cilësuar “të dobët”, kjo nuk është normale. Tirana barazoi 1-1 në Kamzë ndaj Kastriotit, një hap fals për ish-kampionët, por që bëhet edhe më problematik pas barazimit 1-1 javën që kaloi në “Selman Stërmasi” ndaj Egnatias. Ç’po ndodh me ekipin e trajnerit Orges Shehi, që shpëtoi pikë ndaj krutanëve falë golit të Taulant Seferit në pjesën e dytë? Vështirë të shpjegohet saktësisht, por duket se mekanizmat nuk janë kolauduar, dhe kjo pikërisht për shkak të ndryshimeve të mëdha këtë verë.
Në ndeshjen tjetër të Superligës, Dinamo mori barazimin 0-0 në Rrogozhinë ndaj Teutës vendase. Blutë e trajnerit Bledi Shkëmbi u dukën më të qetë, ndërsa durrsakët kampionë sikur nuk deshën të rrezikonin për të humbur. Të dyja skuadrat patën raste, madje Kallaku goditi edhe shtyllën për Teutën, por gol nuk pati. Pas këtyre ndeshjeve, Tirana, Teuta e Dinamo kanë nga 5 pikë, ndaj 6 që ka Kukësi që kryeson me një ndeshje më pak.
Sfidanti.al