Tirana e ka të paktën një rekord, shkon e para në KAS!

Përsa i përket trofeve të fituar, padyshim është rekordmene e futbollit shqiptar, me 24 tituj kampion dhe 15 kupa të Shqipërisë. Gjithsesi, prej disa kohësh rekordet po i sheh me dylbi dhe ua ka lënë të tjerëve. Tirana, megjithatë, ka gjetur (prej hallit) diçka që e nxjerr përpara Skënderbeut, Kukësit apo Partizanit. Bëhet fjalë për një gjyq.

Klubi bardheblu ka vendosur të dërgojë në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës, çështjen mes tij dhe futbollistit Gjergji Muzaka. Tirana bëhet e para ndër shoqëritë e futbollit në Shqipëri që zgjedh t’i hyjë kësaj rruge, pra ky është një rekord më vete. Kuptohet, ka pasur një arsye të fortë që presidenti Halili dhe të vetët kanë marrë rrugën për Zvicër. Kjo arsye ka të bëjë me “gjobën” për t’iu paguar Muzakës, që është 107 milionë lekë të vjetër, edhe kjo shifër një rekord. Nëse humbet, Tirana do të duhet të paguajë, nëse fiton shpëton nga kjo barrë.

Sfidanti.al