Tirana dhe Seferi, një bast i rrezikshëm me sulmuesin e kombëtares!

“Korrjet e janarit” zakonisht nuk quhen shumë të mira, por që bëhen për shkak detyrimi. Edhe Tirana nuk e kishte planifikuar një transferim të tillë në këtë fillim viti, veçse halli e detyroi të vinte një bast që shpesh nuk fitohet, pra që është ndër më të rrezikshmit. Një lojtar mjaft i mirë për Superligën shqiptare vjen tek bardheblutë, Taulant Seferi i kombëtares, dhe presioni mbi palët është që të arrijnë sukses dhe të tregojnë veten.

Trajneri Dede duhet të shpërblejë investimin e presidentit dhe të marrë menjëherë më të mirën nga 24-vjeçari i Jang Bojsit, që do të thotë ta aktivizojë në sulm, ta përshtasë me skemat e tij (apo edhe t’i përshtatet lojtarit) si dhe të “vjelë” sa më shumë gola apo asiste prej tij. Nga vetë Seferi priten menjëherë golat, dhe që menjëherë të tregojë se mund të çajë mbrojtjet! Në fund të fundit, përse është sulmues i kombëtares. Gjithsesi, ky presion mund të sjellë dëm, sidomos tani që Tirana është 12 pikë larg kreut.

Presidenti Halili e deklaroi hapur synimin e tij, ai pret nga skuadra titullin kampion, ndërsa pritet të sjellë lojtarë të tjerë. Si do të rakordohen ekuilibrat dhe si do të gjendet vend për lojtarë që me Egbonë nuk luanin, por që luajnë me Deden (Halili, Nuriu)? Një investim i tillë bëhet vetëm për titullin, por Tirana nuk e ka aspak të lehtë që ta arrijë atë.

Sfidanti.al