Teuta e provon 45 minuta, por ky Skënderbe është i tjetër “planeti”!

Për 45 minuta u mendua se Skënderbeu mund të ndalet nga Teuta, të paktën në Durrës, dhe se tifozët e garës së fortë për titull në Superligë mund të kenë shpresë. Përgjigja e këtyre dy çështjeve në përfundim të ndeshjes së “Niko Dovanës” ishte “JO”! Nuk është e mundur të ndalet aq lehtë skuadra e Ilir Dajës, edhe kur vjen nga java europiane.

Një goli të durrsakëve, me anë të Latif Amadusë, iu përgjigjën katër rrjeta pas pushimit, dhe pse dy prej tyre ishin me 11-metërsh. Afrim Taku, Sabien Lilaj (penallti), Ali Soue dhe Gjergji Muzaka (penallti) ishin autorët e golave në një tjetër paraqitje autoritare të korçarëve, një skuadër që goja për pak të shkon ta quash “kampion”.

Me këtë sukses 4-1, Skënderbeu zhgënjeu përsëri Kukësin dhe Partizanin, rivalët kryesorë për titull. Kuksianët patjetër që shpresuan pas pjesës së parë në Durrës, pasi një humbje e Skënderbeut do t’i kishte lënë barazim me pikë, ndërsa tani, diferenca është plus 3.

Pyetja tjetër që ngrihet pas paraqitjeve të tilla është: Sa skuadra në historinë e Superligës mund të quhen në nivelin e Skënderbeut të sotëm? Të mos harrojmë, kemi Tiranën e viteve 30-të të Riza Lushtës dhe Naim Kryeziut, Partizanin e Loro Boriçit e Refik Resmjes, Dinamon e famshme, Partizanin e Panajot Panos, Tiranën e Ali Memës, Skënder Halilit apo Fatmir Frashërit, Dinamon e treshes Përnaska-Zëri-Ballgjini, Partizanin e 1979-1981, Tiranën e Kolës, Mingës, Muçës, Dinamon e Demollarit dhe Flamurtarin e Kushtës apo Rucit.

Sfidanti.al