Pritej që të ishte një betejë, por që të gjithë ata që e shpresonin, u zhgënjyen. Tirana-Laçi duhej të luhej si sfidë për titullin, por me atë që u pa në fushë u duk sikur po përballeshin një ekip i kreut me një tjetër që lufton për mbijetesën. E tillë epërsia e kryeqytetasve që fituan 4-1, dhe që madje i shënuan të 4 golat që në pjesën e parë. Ish-kurbinasi Redon Xhixha shënoi dy nga rrjetat duke mos festuar, në mënyrë të logjikshme, Najdovski dhe Seferi plotësuan rezultatin 4-0 para pushimit. Skuadra e trajnerit Mirel Josa arriti të reagonte disi në pjesën e dytë duke ngushtuar diferencën me golin e Shehut me penallti, por kjo ishte shumë pak.
Tirana tregoi për të dytën herë se nuk ka rivalë në këtë kampionat. Pasi mundi Kukësin me katër gola diferencë, tani e bëri me Laçin, një skuadër mjaft e mirë, por jo me organizimin e lojës, personalitetin dhe forcën e bardhebluve të trajnerit Orges Shehi. Në ndeshjen tjetër të pasdites vonë, Kukësi e Teuta u ndanë në barazim 1-1. Shkodrani Hebaj kaloi kampionët në epërsi në pjesën e dytë, por në minutën e parafundit barazoi Basha. Më herët, Egnatia fitoi 2-1 sfidën për mbijetesë ndaj Kastriotit, të luajtur në Rrogozhinë. Tirana kryeson renditjen me 49 pikë ndaj 43 të Laçit, ndërsa Kukësi është 11 pikë pas kreut.
Sfidanti.al