Superliga: Tirana fiton në Shkodër, Partizani barazim “i skuqur” me Egnatian!

Ndaj këtij trajneri duket se e kanë të pamundur që t’ia dalin. Vllaznia e Tomas Brdariçit nuk ka arritur kurrë të fitojë ndaj Tiranës së Orges Shehit, ndërsa ndeshja e radhës ishte një humbje. Edhe pse u luajt në “Loro Boriçi”, edhe pse patën në dispozicion një penallti, sërish shkodranët dolën të mundur nga fusha, duke mos arritur t’i afroheshin vendit të dytë. Kualifikimi për në Europë mund të arrihet, por gjithsesi disfata la shije të keqe. Si ka mundësi që Vllaznia e nisi mirë ndeshjen, por e përfundoi keq? Si shpesh herë, kuqeblutë janë të dashuruar me lojën, jo me rezultatin, ndaj edhe humbën raste shënimi, madje shpërdoruan edhe 11-metërshin me anë të Latifit. Tirana, në të kundërt, i shfrytëzoi më mirë rastet e veta, dhe nga nervat ishte më e fortë. Edhe pse në dizavantazh nuk e humbi, por fillimisht barazoi e pastaj fitoi. Ismajlgeci dhe Hoti ishin autorët, ndërsa tiranasit hedhin një tjetër hap drejt titullit me 56 pikë ndaj 45 të Laçit që luan këtë të diel.

Gjithsesi, jo i gjithë kryeqyteti e pati festë. Partizani kaloi një ndeshje që duhet cilësuar e çmendur ndaj Egnatias në “Elbasan Arenë”. Të kuqtë e kishin sfidë në shtëpi, por ishin në fushë neutrale, por gjithsesi kjo nuk i justifikon për barazimin 2-2. Jo vetëm kaq, por rrogozhinasit ishin dy herë në avantazh me Shytin e Shtubinën, ndërsa të kuqtë i kishin nervat në qiell duke marrë dy të kuq. Humbja u shmang në minutën e 4-ët shtesë, ndërsa ndeshja tregoi sesa e vështirë është të fitosh ndaj ekipeve që rrezikojnë të bien nga Superliga. Partizani mbetet larg zonës së Europës, të cilën duket se e kërkon nga Kupa, ndërsa Egnatia ka shpresë për mbijetesën me 24 pikë në vendin e katërt nga fundi.

Java 25: Vllaznia-Tirana 1-2, Partizani-Egnatia 2-2; Të dielën, 13:45: Laçi-Skënderbeu, Dinamo-Kukësi; 16:45: Teuta-Kastrioti!

Renditja: Tirana 56 pikë, Laçi 45, Vllaznia 39, Kukësi 39, Partizani 35, Teuta 28, Egnatia 24, Dinamo 23, Kastrioti 22, Skënderbeu 17.

Sfidanti.al