Superliga guxon ta sfidojë koronavirusin, por pa spektatorë në stadiume!

Topi nuk do të ndalojë së rrotulluari. Të paktën për momentin, në Shqipëri kanë guxim të vazhdojnë kampionatet sipas kalendarit, edhe pse me një ndryshim të rëndësishëm, pa praninë e tifozëve. Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi zyrtarisht se kështu u vendos pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Komitetit të Emergjencës, dhe pas komunikimeve zyrtare me Këshillin e Ministrave.

Federata thekson se masa mbështetet në vendimin e një dite më parë të Ministrisë së Shëndetësisë, dhe në respekt të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve. Një ditë më parë, Federata njoftoi vendimin për t’i zhvilluar pa tifozë ndeshjet e së hënës, në kuadër të javës së 26-të, Vllaznia-Partizani dhe Skënderbeu-Kukësi. Kështu do të vazhdojë edhe më tej, deri në mbyllje të sezonit, gjithnjë nëse nuk do të ketë përkeqësim të gjendjes, siç po ndodh në Itali, ku aktiviteti futbollistik është ndalur plotësisht.

Klubet shqiptare i kanë kërkuar Federatës që të vazhdojë aktivitetin, pa publik, të shqetësuar se Superliga është prapa edhe pa vonesat e tjera në lidhje me koronavirusin. Ndeshjet e javës së 27-të parashikohet të luhen në 13 dhe 14 mars, dhe spikasin duelet Bylis-Tirana, Partizani-Skënderbeu dhe Laçi-Kukësi.

Sfidanti.al