Starovës nuk i ecën me gjyqtarët, Partizani pa fat edhe me sllovenin!

Mërzia ishte e qartë për Sulejman Starovën pas ndeshjes me Kukësin. Partizani i tij humbi shansin më të mirë për ta hipotekuar titullin, ndërsa trajneri i tij po grindej me veten duke i thënë sesi ka mundësi që të ishte kaq pa fat me gjyqtarët. Mirë me shqiptarët, por edhe me të huajin. Edhe pse e dinte se kishte qenë kërkesa e klubit të tij dhe se shpenzimi (jo i vogël) kishte qenë i presidentit të tij, Demi, sërish nuk mundi ta mbante veten.

“Kur kthehesh nga gjyqtarët shqiptarë tek ata të huaj, pret që të kesh një gjykim ndryshe, – tha Starova, – ne e dinim se ky gjyqtar e jep kartonin shumë lehët dhe i përgatitëm lojtarët gjatë javës për të pasur kujdes me ndërhyrjet, por nuk patëm shumë sukses. U tmerrova kur pashë se gjyqtari dha dy kartona për pak sekonda, ndërsa më vonë për ndërhyrje të ngjashme nuk dha karton”.

Trajneri i Partizanit u shpreh i bindur se slloveni Matej Jug kishte gabuar me Ekubanin, pasi tha se “e pashë me sytë e mi”, ndërsa tregoi se “Vila më tha që më kërciti këmba”. Megjithatë, trajneri i kuq e kontrolloi veten dhe e mbylli duke thënë se “gabimet njerëzore të gjyqtarëve i pranojmë me qejf”. E vetmja gjë që nuk pranohet me qejf është fakti që nuk u fitua ndeshja, por për dreq ky Kukës është shumë i vështirë për t’u mundur.

Sfidanti.al