Nuk ia vlen të diskutohet për padrejtësitë, pasi mjafton të kujtojmë fjalët e Krishtit (të ngrejë dorën i pari ai që nuk ka bërë mëkat), dhe gjithçka merret vesh. Veçse, Tirana dhe Partizani nuk janë nga ata “mëkatarë” që kuptojnë diçka nga jeta! Jo, jo, përkundrazi. Këtë herë është klubi bardheblu i futbollit që duket se ka marrë stafetën “për t’i dhënë kuptim budallallëkut”, siç thotë shprehja e bukur shkodrane.
Partizani kërkon të luajë në “Selman Stërmasi” në gjysmën e dytë të sezonit, si e vetmja mundësi për të qenë në kryeqytet, por Tirana nuk po ndihet për të pranuar. Historia e krijuar më herët nga presidenti Refik Halili u kthye pikërisht si ajo gropa ku bie vetë brenda. Tifozët, që u përdorën si pretekst herën e parë, tani janë kthyer në faktor pengues pasi ishte vetë klubi i tyre që i faktorizoi në këtë mënyrë.
Halili ka mbetur në hall, dhe nuk di kujt t’ia prishë e kujt t’ia ndreqë. Logjika financiare i thotë që të përgjigjet “po” ndaj kërkesës së presidentit të Partizanit, Gazmend Demi. Edhe logjika normale e bashkëpunimit të dy njerëzve që jetojnë në një qytet dhe që nuk kanë asgjë për të ndarë. Logjika e “derbit” i thotë të përgjigjet “jo”, për të mos lejuar një “sakrilegj”. Nëse Tirana do të refuzojë përfundimisht, ajo do të krijonte një precedent të rëndë, një “fitil” që do të ndizte “eksplozivin” e derbeve të ashpër, me më shumë urrejtje, rrjedhimisht me më shumë dhunë.
Është habi kur ndodh kjo në futboll, në sport, gjëra që pavarësisht se janë të bukura dhe tërheqëse, janë të fundit për nga rëndësia në jetën e një njeriu. Mund të armiqësohesh me dikë për arsye karakteri, sepse të shfrytëzon apo të dëmton, por është absurde që kjo të ndodhë, sepse ai tjetri pëlqen fanelën e një ekipi që nuk është i yti.
Një nga legjendat e Tiranës, Agustin Kola, nuk e ka mohuar kurrë miqësinë me lojtarë të Partizanit në vitet 80-të, sidomos me Kristaq Eksarkon. As edhe mijëra tifozë nuk kanë mohuar kurrë se kanë qenë shokë e kushërinj, pavarësisht se tifozë të ndryshëm. Veçse, u desh të vinte një ditë që kjo traditë “bashkëjetese në tolerancë” të shkatërrohej. Do t’u mbetet në ndërgjegje atyre që do ta bëjnë.
Sfidanti.al