Tenistja “e harruar” arrin në çerekfinalet e Australian Openit!

Mirjana Luçiç-Baroni nuk do të thotë shumë në botën e tenisit. Të mësuar me Serena Uilliamsin, Maria Sharapovën apo Karolinë Voznjackin, tifozët e këtij sporti nuk e kanë në kujtesë kroaten 34-vjeçare. Ja pra, që kjo teniste me arritje mëse modeste shkaktoi një të papritur të madhe në Australian Open duke arritur në çerekfinale. Kundërshtarja nuk ishte kushedi se çfarë, amerikania Xhenifer Bredi, të cilën e mundi 2-0 (6-4, 6-2), veçse Luçiç-Baroni u bë një nga të rrallat teniste me një distancë të madhe mes dy çerekfinaleve në Grand Sleme. Në 1999, ajo arriti deri në gjysmëfinale në Uimbëlldon.

Më herët Mirjana kishte vendosur rekordin si tenistja me distancën më të madhe kohore mes dy titujve të fituar, kur ia doli ndaj Venus Uilliamsit në shtator 2014 në Kebek të Kanadasë, 16 vjet pas titullit të fituar në 1998 në Kroaci.

Historia e saj është shumë e veçantë, e denjë për një film. Me mbiemrin Luçiç e nisi tenisin si një nga shpresat më të mëdha të sportit, duke vendosur rekorde botërore, kur ishte 16 vjeç. Ajo fitoi US Openin për të reja, si dhe Australian Openin për të reja, në gara individuale dhe çift, duke u bërë e treta që ia arrinte pas Martina Hingisit dhe Xhenifer Kapriatit. Kur ishte 15 vjeç e 10 muaj, u bë më e reja teniste në histori që fitonte titullin çift Grand Slem në Australian Open për të rritura, në krah të Martina Hingisit. Në 1999, kur ishte 17 vjeç arriti gjysmëfinalet në Uimbëlldon.

Papritur, në vitin 2000 ajo pati një krizë. Mirjana tregoi se babai i saj, Marinko, kishte abuzuar me të që në moshë të vogël. Ajo luajti me hope deri në US Open në 2003, pastaj e la tenisin, duke luajtur vetëm dy turne në vitet 2004, 2005 e 2006.

Që nga 2007-ta u përpoq të ringrihej, dhe vetëm tani, në 2017, në moshën 34-vjeçare, mori frytet e një sakrifice të madhe. Në Melburn ajo do të përpiqet tani të shkojë në gjysmëfinale

Sfidanti.al