Skënderbeu rrezikoi fiaskon ndaj Flamurtarit, pak ditë pas triumfit me Partizanin!

Dyshimet për këtë skuadër mbeteshin dhe thuajse u vërtetuan. Nuk po flasim për rezultatet e çuditshme, që thuhet se i ka futbolli, si ndaj Vllaznisë në Shkodër apo Bylisit në Korçë, por për rrëshqitjet me më të dobëtit, kur ia ka nxirë jetën të fortëve. Është edhe i tillë Skënderbeu i Ilir Dajës, që ishte fare pranë një dështimi në Superligë. Pavarësisht rasteve të shumtë dhe epërsisë thuajse të plotë, ish-kampionët nuk po mundeshin të shënonin në portën e Flamurtarit, padyshim ekipit më të dobët dhe me diferencë në kampionat. Jo vetëm kaq, por pati momente kur ndeshja edhe mund të ishte humbur.

Diçka e vështirë për t’u pranuar menjëherë pas fitores ndaj Partizanit kampion, ndërsa në javët e kaluara pati suksese me Tiranën, barazim me epërsi loje ndaj Kukësit, si dhe fitore në Ballsh kundër Bylisit. Nuk ka dyshim që ndikon mungesa e stolit dhe e përvojë, por të paktën këtë herë u arrit të fitohej, edhe pse në frymën e fundit. Ishte i njëjti futbollist që shkëlqeu ndaj Partizanit, Devi Bregu, që siguroi tripikëshin me golin e shënuar në minutën e parafundit.

Meritë e talentit vlonjat, që ndëshkoi sërish ish-ekipin e tij, por meritë edhe e Gripshit apo Krasniqit që krijuan aksionin që solli rrjetën. Më herët, korçarët kishin goditur gjithashtu shtyllën, ndërsa kishin shpërdoruar shumë. Me këtë fitore, ekipi i Dajës ka 27 pikë, duke qenë teorikisht me shpresë për të pretenduar edhe titullin, ndonëse për shkak të dënimit të UEFA-s do t’i bënte punë kualifikimi në kupat e Europës.

Sfidanti.al