Jo, kjo skuadër nuk ka marrë fund. Përkundër parashikimeve të zymta pas dënimit të tmerrshëm të UEFA-s, Skënderbeu gjeti më në fund krenarinë e ekipit të madh, duke hedhur tej krizën e duke arritur një triumf vërtë të pazakonshëm. Fitore 3-0 ndaj Flamurtarit, brenda në Vlorë, pas humbjes në Korçë ndaj të njëjtit kundërshtar në Kupë, dhe pas humbjes së habitshme në Shkodër për Superligën.
Ndikuan padyshim fjalët e presidentit Takaj dhe të trajnerit Daja, që i vunë në sedër, por ndikoi edhe vlerësimi i lartë për vetveten, që i bëri lojtarët të reagonin në mënyrë madhështore. Sulmuesi kryesor, Ali Soue, shënoi që në minutën e parë, pastaj Bruno Dita përfundoi bukur një aksion të Muzakës, ndërsa me të nisur pjesa e dytë, ishte radha e lojtarit të ri të kombëtares, Gavazaj.
Fitorja bëri që të largoheshin dyshimet, sado të pakta, se ky Skënderbe rrezikonte madje edhe një titull kampion që dukej si i futur në xhep prej kohësh. Tashmë, Kukësi u mbajt në 12 pikë largësi, edhe pse kampionët sërish mund të luajnë në Champions nëse korçarët mbeten të dënuar. Ekziston mundësia që kryesuesit e Superligës të realizojnë edhe një përmbysje në Kupë ndaj Flamurtarit, dhe të arrijnë finalen për ta synuar edhe këtë trofe. Pse jo, kur fitohet 3-0, mund t’i dilet edhe 2-0.
Sa për vlonjatët e trajnerit Duro, suksesi në Kupë paska qenë vetëm një përjashtim nga rregulli. Kuqezinjtë rrezikojnë edhe mbijetesën në Superligë, pasi janë 7 pikë larg nga zona e rënies, kur duhen edhe 8 ndeshje deri në përfundim.
Sfidanti.al