Skënderbeu kthehet tek fitorja, Vllaznia i largohet fundit

Një fitore mike dhe një shtëpiake në Superligën shqiptare, me rezultate që ndikuan direkt në dy skajet e tabelës. Skënderbeu forcoi pozitat në krye me suksesin 3-1 në fushën e Lushnjës, ndërsa Vllaznia iu largua disi fundit pasi mposhti Kamzën 3-2 në Shkodër.

Në “Roza Haxhiu”, Lushnja kishte rastin të krijonte vazhdimësi pas fitores në Kukës, edhe pse Skënderbeu nuk ishte kundërshtari i duhur për këtë gjë. Xhejms kaloi korçarët në epërsi që në minutën e 4-ët me një gol shumë të bukur, por vendasit barazuan rezultatin me autoglin e Alitit.

Po në pjesën e parë, Enis Gavazaj riktheu kryesuesit në avantazh, ndërsa pjesa e dytë u luajt në një pellg, pasi fusha e rinovuar e stadiumit nuk përballoi dot reshjet e shiut. Skënderbeu u tregua më i fortë fizikisht, krijoi epërsi numerike kur portieri Spaho doli me të kuqe dhe shënoi golin e tretë me anë të kroatit Marko Radash. Skuadra e trajnerit Daja kryeson me 34 pikë, 9 më shumë se Flamurtari që luan më vonë ndeshjen e tij të javës së 15-të.

Në “Loro Boriçi”, Vllaznia e pati karakterin për të reaguar dhe për të marrë një fitore të domosdoshme, edhe pse përballë kishte Kamzën “e mrekullive”. Sidoqoftë, u desh të lodhej shumë dhe suksesi u arrit vetëm me shifrat e ngushta 3-2. Ribaj shënoi shpejt në 19’, Çinari dyfishoi rezultatin me të nisur pjesa e dytë, por aty filloi drama.

Kamza reagoi dhe shënoi me Sebino Plakun, ndërsa pasi Vllaznia realizoi me Kalanë, Imeri fiksoi për 3-2. Shkodranët e trajnerit Gjoka kanë 15 pikë, po aq sa Teuta që luan nesër, ndërsa për momentin lë në vendin e parafundit Luftëtarin që po ashtu e zhvillon nesër ndeshjen ndaj Partizanit në Gjirokastër.

Sfidanti.al