Mançester Junajtidi është 11 pikë mbrapa në raport me rivalin kryesor qytetës, Mançester Siti, por, megjithatë, trajneri i “djajve të kuq”, Zhoze Murinjo, shprehet se atë nuk e tremb kjo diferencë pikësh dhe se ai nuk ka ndërmend që të heqë dorë nga titulli, ashtu sikurse bëri, pak ditë më parë, “kolegu” i tij i Celsit, Antonio Konte.
“Jam i kënaqur me tri pikët e fundit që ne fituam me Bornmauthin (1-0), pasi ky i fundit bëri një ditë pushim më shumë sesa neve, pra, ata ishin më të freskët, madje edhe mendërisht, sepse një ndeshje me një ekip të madh, si i yni, kërkon një përgatitjte psikike përkatëse. Sidoqoftë, ne humbëm disa raste, Marsial, Rashford, etj. Ne luajmë ndeshje për ndeshje, pra, llogarisim çdo ndeshje. Do të shikojmë në maj se ku do të jemi ne. Nëse ju mendoni se gara për titull ka marrë fund që tani, atëherë, unë po iki me leje në Brazil ose Los Anxhelos”, vuri në dukje Murinjo.