Trajneri i Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo, gradualisht, po e çliron veten nga “barra” e lojtarëve që ai konsideron se nuk do të jenë të nevojshëm në pjesën tjetër të sezonit. Kështu, megjithëse, para një viti e gjysmë, ai erdhi në “Old Trafford” si një përforcim i rëndësishëm, tani, sulmuesi armen, Henrik Mhitarian, ka shumë mundësi që po numëron ditët e fundit në Mançester, pasi Murinjo tha se ai nuk e meriton që të jetë midis 18 futbollistëve që deklarohen në protokoll para çdo ndeshjeje.
“Unë përpiqem që ta ekuilibroj stolin, kam dy mbrojtës dhe Blindin që mund të luajë në disa pozicione. Këtu është edhe Eshli Jang që luan si lojtar anësor e mbrojtës, dhe Erera në mesfushë. Zllatani është sulmues, kurse Rashfordi luan si sulmues anësor ose si sulmues i dytë. Në ekip janë edhe Marsiali, Mata dhe Lingardi që do të thotë se për Mhitarianin nuk ka vend. Shkurt, janë të tjerët që meritojnë të kenë vend në ekip”, tha Murinjo.
Sfidanti.al