Skënderbeu konfirmon Memellin: Nuk firmos kontratë, punoj me besim!

Ishte më i vlerësuari nga njerëzit e stolit këtë vit. Shumë hamendësime pati për të ardhmen e Migen Memellit, njeriut që cilësohet si vendimtar për mbijetesën e Skënderbeut në Superligë, ndërsa mendon vetë “i Zoti i punës” për t’i dhënë fund dyshimeve.

“Mund t’iu them se klubi ka vendosur që të më konfirmojë edhe për sezonin e ardhshëm, – tha Memelli në një konferencë për shtyp në Korçë, – e falenderoj për këta muaj, ndërsa do të jemi sërish bashkë. Pas disa ditëve do të ulemi me presidentin Takaj për të biseduar për projektin e vitit të ardhshëm. Duam që të konkurrojmë si rivalë me ekipet që i ndalëm këtë vit, si Tiranën, Partizanin, Kukësin apo Teutën”.

Ish-sulmuesi i njohur dhe ish-trajneri i Akademisë së Tiranës, zbulon edhe një veçanti në raportin e tij me presidentin Takaj. “Unë nuk kam nënshkruar kontratë sepse për mua ka rëndësi besimi, – tha ai, – futbollin e quaj profesion sidomos për të siguruar kënaqësi, sesa për të marrë sa më shumë vlera financiare. Vlerat financiare na duhen sepse mbajmë familjen, por unë vlerësoj shumë anën emocionale”. Të mërkurën, Skënderbeu luan ndeshjen e fundit të Superligës ndaj Tiranës, e më pas ka finalen e Kupës me Vllazninë në 30 maj.

Sfidanti.al