Tashmë e kemi kalendarin. Plot dy javë para fillimit të sezonit të ri, në ambientet e “Arenës Air Albania” u hodh shorti i Superligës 2020-2021. Edhe pse gjatë procesit të shortimit ndodhi një e papritur, duke u thyer vazoja që mbante goglat, sërish shpresohet që kjo të mos jetë si ogur i keq për edicionin e ardhshëm. Pasoja e vetme ishte ndonjë copë e vogël xhami në dorën e sekretarit të përgjithshëm të Federatës, Ilir Shulku.
Nga goglat doli që në javën e parë një nga duelet më interesantë të mundshëm, ai mes Tiranës e Kukësit që do të luhet pikërisht në “Arenën Air Albania”, e parashikuar për në 12 shtator. Do të ndeshjen që në fillim kampionia e vendit dhe nënkampionia. Menjëherë më pas, në javën e dytë, do të kemi sfidën Kukësi-Partizani, pra trajneri Skënder Gega përballë ish-ekipit të tij.
Një nga ndeshjet më të shumëpritura të Superligës, derbi i kryeqytetit, do të luhet në javën e 6-të, dhe Tirana do të jetë pritëse. Sipas kalendarit të përcaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe nga Liga, deri në 23 dhjetor parashikohet të luhen 17 javë, ndërsa pas ndërprerjes së dimrit, kampionati të nisë me javën e 18-të në 16 janar.
Gjithsesi, sezoni rrezikon të mos nisë, siç u paralajmërua edhe në short. Klubet e Superligës mund të bojkotojnë ndeshjet nëse qeveria shqiptare nuk bën një marrëveshje për katër kërkesat që i janë bërë më herët. Këto kërkesa përfshijnë miratimin e ligjit të ri për sponsorizimet sipas kërkesës së klubeve, uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar në 6 për qind për çdo aktivitet futbolli, zerimin e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet fiskale të prapambetura dhe zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat e sportistëve, nga 2 në 10 vjet.
Sfidanti.al