“Projekti i ri” u ndaj nga “i vjetri”, Teuta provoi limitet e saj!

Nuk ia vlen të flasësh për gjykimin, por të paktën ta bësh këtë për futbollin. Një penallti, që as nuk mund të mendohej për t’u dhënë, nuk e ndihmoi dot Teutën që të fitonte ndaj Skënderbeut dhe të vazhdonte revanshin e “projektit të ri” ndaj “projektit të vjetër”. Përtej gjithë të zezave të futbollit shqiptar, dhe telekomandave të shumta që e drejtojnë nga jashtë fushe, sërish një histori 8-9-vjeçare nuk mund të zhbëhet kaq lehtë. As një epokë e re nuk mund të hapet kaq shpejt dhe kaq thjesht.

Skënderbeu reagoi kur u ndodh në 0-2, në fushë kundërshtare (edhe pse me pak tifozë durrsakë në stadium), me fare pak nga garda e vjetër (Vangjeli, Dita, Radash, Muzaka), dhe vuri në vështirësi një ekip të ndërtuar për të fituar. Hidi, Frashëri, Osmani, Arapi, Kallaku, Kamara, Bushiç e Progni, në pjesën e dytë u dukën më shumë një grup lojtarësh të mirë, sesa një ekip solid.

Kallaku shënoi në fund të pjesës së parë për durrsakët, pas një penalltie, Traore shënoi golin e dytë, por Skënderbeu arriti të reagonte dhe të shënonte, fillimisht me Muzakën dhe në fund me … durrsakun Gripshi. Pas këtij barazimi 2-2, Skënderbeu është në vend të pestë me 34 pikë, ndërsa Teuta mbeti prapa dyshes së kreut, me 40 pikë ndaj 50 të Partizanit dhe 44 të Kukësit.

Sfidanti.al