Presioni është i madh për të dyja skuadrat. Partizani e Tirana ndeshen sot në 19:45 në “Arenën Air Albania” për derbin e radhës në kryeqytet, dhe sfida e Abisnet Superligës është vërtet shumë delikate. Edhe pse jo vendimtare, ndihet shumë nga të kuqtë e bardheblutë, që nuk duan jo vetëm që të humbasin, por synojnë edhe fitoren. Skuadra e trajnerit Ilir Daja, që është pritëse, është në krizë sidomos për rezultatet, me vetëm 18 pikë, 4 fitore në 14 ndeshje dhe vetëm 14 gola të shënuar. Nuk dihet nëse do të ketë kthesë, ndonëse mungesa e lojtarëve golshënues mbetet problemi më i madh. Të paktën, Daja është i qetë për mungesat, pasi në ekip janë kthyer të dëmtuarit Belica, Zhunior e Kaçe, dhe në fushë mund të zbresë formacioni më i mirë.
Tek Tirana, po ashtu janë qetësuar disi sepse sulmuesi kryesor, Seferi, është stërvitur normalisht me shokët. Mungesë ende mbrojtësi titullar Ismajlgeci, ndonëse trajneri Orges Shehi besohet ta ketë të paktën në ekip, në mos jo titullar. Parashikimet janë më shumë për fitoren e Tiranës, ndonëse aksioma e derbit është që rezultati kurrë nuk mund të parashikohet saktë. Ndërkaq, interesimi për biletat është i rëndësishëm, ndonëse jo i jashtëzakonshëm. Deri në mesditë nuk janë shitur më shumë se 8-9 000 bileta, ndoshta edhe për shkak të motit të ftohtë, të çmimeve apo edhe të zhgënjimit që Partizani ka shkaktuar deri tani tek tifozët.
Formacionet e mundshme
Partizani (4-3-3): Teqja – A. Marku Belica Sembene Musta – Rrapaj Kaçe H. Marku – Mala Zhunior Cara.
Tirana (4-3-3): Bekaj – Ismajlgeci (Përgjoni) Hoxhallari Behiraçe Toshevski – Limaj Totre Toli – Xhixha Ngo (Gjumsi) Seferi.
Sfidanti.al