Thuhet se fituesi nuk gjykohet dhe këtë herë fitues ishin miqtë. Jo se Vllaznia triumfoi në duelin e madh të Superligës në fushën e Partizanit, por barazimi pa gola ishte një sukses i vërtetë. Me ruajtjen e 9 pikëve të epërsisë, shkodranët e trajnerit Tomas Brdariç realizuan misionin që i kishin vënë vetes, duke dëshmuar sërish se ndodhen në krye jo rastësisht, por sepse synojnë të fitojnë titullin. Pas shifrave 1-1 në kryeqytet me Tiranën, një tjetër pathyeshmëri jashtë fushe, edhe pse Partizani nuk luajti dot brenda, porse në “Elbasan Arena”.
E vërteta është se ashtu siç u zhvillua pjesa e parë, Vllaznia edhe mund të kishte shkuar në pushim në avantazh, por e marrë në tërësi si ndeshje, atë meritoi ta fitonte skuadra e Ilir Dajës. Të kuqtë shtuan presionin sa më shumë kalonin minutat dhe nuk u penguan nga fakti se dy ekipet mbetën me nga 10 lojtarë, pasi Bitri e Krymi u përjashtuan me të kuq.
Dominimi në lojë në 45 minutat e dyta ishte absolut, ndoshta për shkak të përgatitjes më të mirë fizike, të lojës më të formuar apo edhe të cilësisë më të madhe të lojtarëve. Me Malën, Asanin, Bardhin, Melon, Çinarin, Bitrin, Brojën e të tjerë, të kuqtë kanë emra që mund t’i konkurrojë vetëm Tirana e Kukësi. Gjithsesi, përfundoi pa gola, qoftë për rezistencën e fortë të shkodranëve, por sidomos për mungesë të fatit nga kryeqytetasit.
Në fund ata i patën rastet për të shënuar, veçse i pengoi terreni i rënduar nga reshjet e dendura të shiut që nuk pushuan për asnjë moment. Vllaznia u ngjit në 37 pikë në një javë që punoi për të, me humbjen edhe të Teutës, ndërsa Partizani është i dyti me 28 pikë. Ndoshta, mund të themi kështu, që shkodranët meritojnë titullin këtë sezon, ndërsa Daja po përgatit ekipin për edicionin e ardhshëm.
Sfidanti.al