Duket se saga më e nxehtë e verës tashmë ka përfunduar. Ilir Daja dhe Partizani janë marrë vesh parimisht me njëri-tjetrin për të qenë së bashku sezonin e ardhshëm, ndonëse trajneri i Skënderbeut ka vendosur një kusht. Akordi do të prishet vetëm nëse klubi korçar fiton gjyqin në drejtësinë federale të Zvicrës, diçka që duket tepër e vështirë të ndodhë.
Nuk flitet për hollësi financiare, por presidenti i të kuqve, Gazmend Demi, ka treguar në të kaluarën se nuk kursehet kur vjen puna për të mirën e ekipit, e ndoshta mund të bihet dakord për një rrogë prej 5 000 apo 6 000 eurosh në sezon. Daja mendohet se do të marrë me vete edhe lojtarë nga Skënderbeu, madje do të jetë një plus i madh në konkurrencën me Tiranën, që gjithashtu dëshiron futbollistë të Korçës.
Gjithsesi, për stolin ka pasur edhe diskutime të tjera. Burime pranë drejtuesve të Partizanit bëjnë me dijë se është diskutuar edhe një rikthim i Skënder Gegës, si dhe emri i Julian Ahmatajt, që vjet ishte tek Tirana, ndërsa më herët punoi me Kamzën e Luftëtarin. Gega mund të binte dakord për t’u kthyer vetëm nëse do të ruhet grupi, diçka që nuk pritet të ndodhë. Nga Partizani do të largohen Erald Çinari, Lorenc Trashi, Esat Mala dhe portieri e kapiteni Alban Hoxha, pa përjashtuar edhe të tjerë.
Sfidanti.al