Në dhjetor thuajse askush nuk besonte, por ata ia dolën. Futbollistët e Partizanit, të drejtuar nga trajneri Dritan Mehmeti, realizuan një arritje të madhe duke u kualifikuar për në Europë sezonin e ardhshëm. Një fazë e dytë mjaft e mirë e të kuqve, pavarësisht ndonjë humbjeje, siç ndodhi me Tiranën, apo ndonjë barazimi të papritur, ndërsa Liga e Konferencës u arrit me fitoren 4-0 ndaj Kastriotit. Përballë një skuadre të pamotivuar krutane, që e kishte arritur objektivimin e madh të mbijetesës në Abisnet Superligë, kryeqytetasit arritën një sukses me diferencë, edhe pse shifrat u thelluan vetëm në 10’ e fundit. Marku, Skuka, Cara dhe Magete ishin autorët e golave. Në lojë për Europën mbeten edhe Vllaznia me Kukësin.
Dy skuadrat e Veriut arritën fitore këtë javë të parafundit, ndërsa vetëm njëra prej tyre mund të shkojë në Ligën e Konferencës. Shkodranët kaluan 3-1 Egnatian e Rrogozhinës në “Loro Boriçi”, duke arritur fitore në debutimin e trajnerit Mirel Josa në stol. Kuksianët kaluan 1-0 Skënderben në Arenën e tyre. Një tjetër trajner arriti fitoren e parë në stol, dhe ky ishte Rodolfo Vanoli i Dinamos, madjë në ndeshjen më të vështirë, në derbin ndaj Tiranës. Bluve kryeqytetasve nuk u bëri asnjë punë ky sukses pasi kanë rënë nga kategoria, ashtu siç nuk i prishi punë bardhebluve që janë shpallur kampionë dy javë më parë. Për Tiranën pati vlerë vetëm goli i shënuar nga Taulant Seferi me penallti, pasi sulmuesi shqiptar nga Maqedonia e Veriut lufton për Këpucën e Artë të kampionatit.
Java 35: Dinamo-Tirana 2-1, Teuta-Laçi 2-1, Partizani-Kastrioti 4-0, Vllaznia-Egnatia 3-1, Kukësi-Skënderbeu 1-0. Renditja: Tirana 73, Laçi 63, Partizani 55, Kukësi 52, Vllaznia 52, Teuta 49, Kastrioti 43, Egnatia 34, Dinamo 28, Skënderbeu 25.
Sfidanti.al