Donçiç “thotë” 42 pikë, por sërish nuk mjafton ndaj Golden Stejtit

Ai i ka ende “buzët me qumësht” në kuptimin që për herë të parë po luan një finale Konference në plej ofin e NBA-së. E tillë përvoja e Luka Donçiçit në basketbollin amerikan dhe në moshën 23-vjeçare po provon të shkojë drejt titullit. Sesa e vështirë është po e kupton në përballjet me Golden Stejtit në finalet e Perëndimit, dhe pavarësisht se shënoi 42 pikë përsëri Dallasi u mund. Përfundimi ishte 126-117, ndonëse miqtë nga Teksasi ishin në avantazh prej 19 pikësh. Donçiç shtoi 5 topa në tabela, 8 asistë, 3 vjedhje topi dhe 1 bllokim gjuajtjeje duke e humbur topin vetëm 2 herë. Gjithsesi, superylli slloven pati ndihmë vetëm nga dy shokë të ekipit, Bransoni që shënoi 31 pikë dhe Bullok 21. Në të kundërt, Golden Stejtit (tri herë kampion i NBA-së kohët e fundit) pati shpërndarje të “punëve”. Stef Kërri shënoi 32 pikë (8 topa në tabela, 5 asistë), Pul 23, Lunej arriti në 21 pikë e 12 topa në tabela dhe Klej Tompson15 pikë, 4 topa në tabela e 5 asistë. Ndeshja e tretë luhet në Dallas, ndërsa “Luftëtarët” kryesojnë 2-0.

Sfidanti.al