Partizani si kombëtarja, vjen Edgar Çani për të fituar titullin!

Një lojtar i kombëtares meriton të pritet vërtet kështu. Edgar Çani i pati kamerat dhe fotografët që në trotuarin e rrugës së Unazës, ndërsa drejtohej për tek selia e klubit të tij të ri. Për herë të parë në karrierë, sulmuesi vlonjat do të luajë në Superligë, pikërisht për Partizanin. Në shtëpinë e tij të re u prit nga drejtori i të kuqve, Genci Tomori, dhe më pas i erdhi radha prezantimit.

Kurioziteti ishte i madh për të pyetur një futbollist që ka provuar Serinë A, Serinë B, kampionatin polak dhe atë anglez. Përse një zbritje në karrierë, në Shqipëri? Kam ardhur sepse më ka bindur projekti i klubit, – tha ai, dua të ndihmoj skuadrën për të fituar titullin kampion. Ka luajtur rol të madh edhe Luçiano Moxhi me të cilin kam folur disa herë dhe më ka spjeguar se çfarë projekti ka Partizani”.

Që të fitosh titullin duhet mposhtur Skënderbeu, por edhe Kukësi, ku duhen golat e Çanit. Sa premton të shënojë ai? “Nuk i kam vënë vetes objektiva personale, pavarësisht se do të përpiqem të shënoj sa më shumë, – theksoi sulmuesi, – kryesorja është të fitojmë titullin, të luajmë mirë si skuadër”.

Herë ka qenë në kombëtare, herë jo. A ka kontakte me trajnerin e ri? “Nuk kam folur me Panuçin, por kam qenë në kombëtare. Partizani, zgjedhja e duhur për të qenë përsëri”, – ishte mendimi i tij. Çani është 28 vjeç, pra në kulmin e kapacitetit fizik dhe mendor në karrierë. Sulmuesi shtatlartë 1.92 metra, ka luajtur për Peskarën, Palermon apo Katanian në Itali, për Poloninë e Varshavës dhe Lids Junajtidin në kategorinë e dytë në Angli. Vjet ishte sërish ne Itali, me Pizën.

Sfidanti.al