S’ka gola në Durrës, edhe pse u luajt një ndeshje shumë e mirë. Teuta e Partizani e mbyllën 0-0 ndeshjen e parë të javës së 21-të të Superligës, dhe kryeqytetasit humbën një shans për t’iu afruar Kukësit. Përtej polemikave, gjithsesi duhet theksuar se ndaj një ekipi të tillë durrsak, as kuksianët dhe as Skënderbeu nuk do ta kenë të lehtë në “Niko Dovana”. Të besuarit e trajnerit Sulejman Starova e nisën shkëlqyeshëm ndeshjen dhe Ekuban pati tri raste të pastra për shënim, por i shpërdoroi. Edhe Teuta iu afrua golit me Mustën, por sidomos me Hilën që goditi traun pas prekjes së topit nga portieri Hoxha, ndërsa Progni nuk arriti të shënojë më pas. Durrsakët kërkuan karton të kuq për Atantën (të verdhin e dytë), por gjyqtari nuk ishte i atij mendimi.
Pas pushimit, Partizani e rriti presionin, por raste nuk pati, madje ishte Teuta që rrezikoi e para në 83’. Më pas, në mënyrë të pabesueshme Bonifejs nuk e dërgoi topin në rrjetë, ndërsa në fund të dyja skuadrat kërkuan penallti. Fillimisht, Partizani për rrëzim të Ekubanit në zonë, ndërsa më pas Teuta për ndërhyrje të Hoxhës ndaj Hilës. Ky barazi, bëri që Partizani të ketë tani 39 pikë, 3 më pak se Kukësi që luan në fushën e Tiranës, dhe 1 më shumë se Skënderbeu që pret Laçin. Teuta, ndërkaq, arrin përkohësisht Laçin dhe Flamurtarin, në kuotën e 20 pikëve.