Situata është krejt tjetër. Partizani humbës, i vendeve të fundit dhe i paaftësisë për të shënuar tashmë nuk ekziston më. Në fushë është ekipi me historinë e madhe, dhe që po përpiqet të jetë i tillë edhe këtë sezon, gjë që me statistika po e realizon.
Fitorja në Shkodër ndaj Vllaznisë i dha fitoren e tretë radhazi, e mbajti me ritmin e Kukësit dhe Skënderbeut dhe ende me shpresa për titullin. A mund të thuhet se Partizani i Iulianos është ai i duhuri? Për fat të keq, jo, pasi edhe pse fitoi me golin e shënuar nga Basrak, luajti dobët, ashtu siç luajti dobët edhe Vllaznia. Më e justifikuar kjo për shkodranët, me shumë probleme së fundmi, derisa u largua trajneri Cungu dhe u zëvendësua me Gjokën, por aspak për Partizanin.
Kryeqytetasit nuk bindën aspak, duke mos pasur lojë të rrjedhshme e duke u bazuar më shumë tek veprimet individuale. Nga frika e pësimit të golit, miqtë kishin shpesh herë edhe 9 lojtarë në mbrojtje, dhe padyshim që kjo i pengonte për të dalë shpejt në sulm. Padyshim ndikuan edhe mungesat, pasi të kuqtë ishin pa dy sulmuesit kryesorë, Edgar Çanin e dëmtuar që më parë, dhe Xhevahir Sukajn që u lëndua në përballjen ndaj Luftëtarit.
Vllaznia pati më shumë zotërimin e topit, por nuk qe e zonja të rrezikonte seriozisht portën e Alban Hoxhës. Fitorja minimale e ngjiti Partizanin në kuotën e 11 pikëve, pesë më pak se Skënderbeu e Kukësit që janë në krye, ndonëse korçarët ende nuk e kanë luajtur ndeshjen e tyre të javës së 7-të të Superligës.
Sfidanti.al