Partizani mund Kukësin dhe i afrohet Vllaznisë, ka edhe luksin për “Fair Play”!

Pak javë më parë diferenca ishte 9 pikë, ndërsa tani është shumë më pak. Partizani, i cilësuar gjithnjë e më shumë si pretendenti kryesor për titull në Superligë, arriti një fitore të madhe në “Elbasan Arena” duke mundur Kukësin në një duel direkt prej rivalësh, e duke qenë shumë pranë Vllaznisë kryesuese. Një përballje që u zhbllokua vonë, dhe shpesh u mendua që mund të mbyllej edhe në barazim, por që kryeqytetasit patën përgatitjen edhe fizike, por edhe psikologjike për t’ia dalë. Golat e Erald Çinarit dhe Muratajt thjesht konkretizuan lojën më të mirë të një skuadre që po drejtohet nga trajner Ilir Daja.

Padyshim, nuk mund të mos theksohet se në ndeshje të caktuara, si ndaj Kastriotit ekipi i presidentit Demi e pati çuditërisht tepër të lehtë. Në “Elbasan Arena” u shënua edhe një rast i veçantë Loje të Ndershme. Këtë e bëri Partizani, që u ndje keq pasi shënoi golin e dytë me anë të Muratajt, ndërsa njëri prej lojtarëve të Kukësit ishte i dëmtuar. Pa mëdyshje, kryeqytetasit i hapën portën Limajt që ngushtoi shifrat në 2-1.

Një goditje e rëndë kjo për Kukësin e trajnerit Josa, sidomos pas fitores shpresëdhënëse ndaj Tiranës. Afrimin e Partizanit me kreun e ndihmoi edhe gabimi i Vllaznisë.  Shkodranët u ndalën në barazim 1-1 në Korçë ndaj Skënderbeut, madje duke rrezikuar humbjen. Vendasit luftuan fort dhe patën epërsi në pjesën e parë duke shënuar me Duvunën. Pas pushimit erdhi reagimi i ekipit të trajnerit Brdariç, që barazuan me 11-metërsh. Vllaznia mbetet në krye të Superligës me 41 pikë, Partizani ka 37, ndërsa Laçi e Teuta nga 36.

Sfidanti.al