Partizani, më në fund shfaqet si Partizan, 2-0 Flamurtarit për kreun!

Partizani fitoi me meritë ndaj Flamurtarit në ndeshjen e parë të javës së pestë të Superligës. Skuadra kryeqytetase pati epërsi në fushën e saj, në stadiumin “Selman Stërmasi”, duke triumfuar me shifrat 2-0, dhe duke u ngjitur në kuotën e 10 pikëve, po aq sa Skënderbeu, pra në krye të kampionatit.

Afrikani Mensah shënoi golin e parë për ekipin e trajnerit Gega, në minutën e 21-të, ndërsa pas pushimit ishte vlonjati Telushi që realizoi nga goditja e dënimit, në minutën e fundit të takimit.

Partizani pati edhe raste të tjera duke luajtur më mirë sesa kundërshtari, ndërsa Flamurtari i trajnerit Daja arriti të tregonte shumë pak në këtë sfidë. Vlonjatët mbeten në kuotën e 7 pikëve, baraz me Kukësin, por rrezikojnë të mbeten më prapa këtë javë.

Kjo ishte ndeshja më e mirë e Partizanit në këtë kampionat, dhe duket se puna e trajnerit Gega po nis të japë rezultat.

Sfidanti.al