“Film për Amazonin? Faleminderit jo, ne jemi Liverpuli!

Mançester Siti mund të jetë bërë më global dhe më i “shitshëm” falë një dokumentari të shkëlqyer të realizuar nga kompania e madhe “Amazon”, por Liverpuli dëshiron të jetë ndryshe. Pep Guardiola dhe drejtuesit e Sitit ranë dakord për xhirimin e serive, që padyshim ishin një sukses, por Jurgen Klopi ishte “fajtori” kryesor që klubi tjetër anglez e refuzoi kompaninë e shquar amerikane.

Vetë presidenti i klubit, miliarderi amerikan Xhon Henri, ishte dakord që të lejonte kamerat të hynin në kompleksin stërvitor të skuadrës, por Klop u tregoi derën. Besohet se trajneri gjerman e quan të parakohshëm një dokumentar të tillë, dhe dëshiron që lojtarët e tij të përqëndrohen tek lufta për fitimin e trofeve, dhe jo ta ndjejnë veten si aktorë filmi. Pasi të fitohet të paktën Premier Liga, ndoshta njeriu “hevi meyël” (Heavy Metal) Klop, mund të bëhet më zemërgjerë me Amazonin.

Sfidanti.al