Partizani i përgjigjet Kukësit e Skënderbeut, 5 gola Teutës!

Shënuan aq sa u deshi shpirti. Skuadrat pretendente të Superligës shqiptare jo vetëm që fituan në javën e 30-të, por edhe me rezultate të thella dhe me shumë gola. Partizani, që luajti i fundit, por edhe Kukësi e Skënderbeu që ishin në fushë më herët, patën mbarësi të vërtetë, ndërsa pozicionet në tabelën e renditjes mbetën po ata. Pesë rrjeta pati Partizani, katër Kukësi, ndërsa Skënderbeu arriti në 5.

Kryeqytetasit u desh të përgjigjeshin pas sukseseve të rivalëve. Në “Selman Stërmasi” ia dolën fare mirë ndaj Teutës duke e mundur 5-1, me nga dy gola para pushimit, dhe me dy pas tij. Braziliani Agustin Torasa ishte protagonisti i pjesës së parë, dhe Kaleb Ekuban goditi dy herë pas pushimit, për të ardhur tek penalltia e Sukajt. Teuta e trembi një herë ekipin e Starovës kur shënoi me anë të Çyrbjes, por u duk e vogël përballë Partizanit.

Kukësi, ndërkaq, pati përballë Tiranën në “Zeqir Ymeri”. Ishte një ndeshje e rrethuar nga dyshimet për aleancë mes dy klubeve, dhe në përfundim nuk bëri asgjë për t’i larguar ato.  Natyrisht, asnjë provë direkte nuk pati për lëshim nga bardheblutë, veçse loja pa nerv nuk la shije të mirë. Golat u shënuan në pjesën e dytë. Fillimisht Emini dhe pastaj Pejiç me penallti për vendasit, pastaj i riu Turtulli shkurtoi diferencën për tiranasit, ndërsa në minutat e fundit i erdhi radha brazilianit Zhan Karioka, por edhe Pejiçit që mbërriti në 20 gola në këtë kampionat.

Skënderbeu nga ana e tij bëri namin në Laç. Liridon Latifi dha më në fund atë paraqitje që dëshiron presidenti Takaj, dhe trajneri Daja. Shënoi tre gola dhe krijoi rrjetën e realizuar nga Xhejms. Lavdi edhe për sulmuesin kryesor të kampionëve, Hamdi Salihin, ndërsa kurbinasit të shënonin vetëm një herë me anë të Lushkjes. Kukësi e Partizani kryesojnë kampionatin me nga 62 pikë pas 30 javësh, dhe Skënderbeu i ndjek me 59. Në fund të tabelës, Laçi është tashmë më i rrezikuari për të rënë nga kategoria, në vendin e parafundit.

Sfidanti.al