Partizani gjen fitoren e parë Superligë, por supriza erdhi nga Skënderbeu!

Nuk mund të vlerësohet si fitore e madhe, por gjithsesi është fitorja e parë. Partizani e theu më në fund akullin në Superligë, me suksesin 1-0 në Gjirokastër ndaj Luftëtarit. Goli i Telushit, që në minutën e 15-të, jo vetëm lehtësoi psikologjikisht kampionët, por edhe theu tabunë 22-vjeçare pa triumf në qytetin e Jugut.

Tashmë, trajneri Franko Lerda mund të jetë më i qetë në punën e tij për ndeshjen e radhës, atë ndaj Flamurtarit në kryeqytet. Partizani kontrolloi lojën, por sërish pati të metën e vjetër, atë të mosshënimit të golave, duke mos arritur ta mbyllte ndeshjen. Rastet e shumta vlejtën për të kënaqur Lerdën se ekipi po funksionon, por Luftëtari mund të kishte shkaktuar surprizën në çdo moment.

Gjithsesi, pavarësisht vlerësimit dhe respektin  për Partizanin si ekip kampion, ngjarjen e javës e shkaktoi Skënderbeu. Korçarët, të deklaruar të vdekur e të varrosur, arritën fitoren e dytë duke u ngjitur në vendin e parë të Superligës, siç ishin mësuar deri dy sezone më parë. Për më tepër, suksesi ishte në Laç, ndaj një ekipi shumë të fortë në stadiumin e tij, me potencial dhe me një trajner me përvojë si Starova.

Kurbinasit, madje, kaluan të parët në avantazh me anë të Nuabuezes në pjesën e parë, por nuk e përballuan dot ekipin e Ilir Dajës, që ka ende lojtarë të rëndësishëm. Devi Bregu dhe Oto Xhon përmbysën shifrat pas pushimit, ndërsa në fushë për ish-kampionët ishin edhe emra të tjerë si Dita, Pollozhani, Muzaka Gripshi apo Krasniqi.

Përfundoi pa gola në Ballsh, dueli mes Bylisit e Vllaznisë, ku të dyja skuadrat patën mundësi që të shënonin. Një rezultat pozitiv për shkodranët e trajnerit Mirsad Jonuz që duken të fortë pas kthimit në Superligë.

Sfidanti.al