Partizani fiton një betejë në Korçë, fitorja e “luftës” është më afër

“As nuk kemi nxjerrë njeri nga gara për titull, dhe as nuk e kemi fituar titullin”. Këto ishin fjalët e përgjegjshme të trajnerit të Partizanit, Skënder Gega, pas fitores 1-0 në Korçë ndaj Skënderbeut. Ndeshja e parë e fazës së dytë të Superligës, jo vetëm i dha tri pikë kryeqytetasve, por edhe mund të kthehet në një trapolinë për të shkuar drejt titullit të parë pas 26 vitesh.

Partizani luajti fort dhe me stilin e tij të zakonshëm. Nuk lejoi të rrezikohej shumë, ndërsa u duk edhe më i harmonizuar, diçka që pritej pas një faze të mirë përgatitore në Antalia. Shënoi që në minutën e tretë me anë të Malës, fitoi penallti të cilën e humbi, si dhe iu afrua disa herë golit të dytë.

Fitorja bëri që të kuqtë të ngjiteshin në 40 pikë, ndaj 34 të Kukësit që do ta luajë nesër ndeshjen e tij, në Kamzë ndaj Laçit. Teuta ka 33 pikë, gjithashtu me një ndeshje më pak, ndërsa Skënderbeu mbeti me 30, po aq sa Laçi.

Edhe pse sulmuesi nuk erdhi nga “toka e premtuar”, sërish Gega u shpreh i kënaqur me forcat që ka në dispozicion. “Kam mjaft sulmues, kam tre qendërmbrojtësa, kemi mesfushorë të fortë, kur hedh sytë në stol, aty kam luks”, – ishin fjalët e tij. Sulmuesi ndoshta edhe vjen, ndoshta jo (Gega tha më herët se duhet lojtar jo vetëm për 6 muaj), por ndoshta Partizani mund të luajë me sukses me “9 false”, siç ka qenë jo rrallë në modë kohët e fundit.

Sfidanti.al